NUREDINI: Ndërmarrim aktivitete të përbashkëta me Shqipërinë për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit dhe paraqitjen para UNESCO-s

Sot në Ohër u mbajt seanca e përbashkët e Komisioneve Kombëtare të UNESCO-s të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë ku u dakorduan për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve në menaxhimin e përbashkët të Rajonit të Ohrit, si një trashëgimi natyrore dhe kulturore që ne ndajmë me të gjithë botën.

Marketing

“Lidhur me rajonin e Ohrit, të dy vendet janë serioze në synimin e tyre për të ndjekur rekomandimet dhe për të ruajtur statusin e UNESCO-s, si dhe për të përmirësuar situatën e rajonit të Ohrit në përgjithësi dhe për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe kulturore që zotëron.

Më vjen mirë që të gjitha aktivitetet janë ndërmarrë në koordinim me fqinjët tanë dhe që ne po veprojmë së bashku përpara Komitetit të UNESCO-s, duke paraqitur idenë e një Plani konkret të përbashkët të Rimëkëmbjes dhe Planit të Veprimit, i cili tregon seriozitetin e qasjes sonë. Shpresoj se do të kemi një periudhë kohore shtesë për ta përmbushur atë, para se të jemi në listën e trashëgimisë botërore të rrezikuar – deklaroi Ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini.

Pikëpamja e përbashkët është se qeveritë po punojnë shumë për këtë çështje pavarësisht nga fakti se është ende një periudhë pandemie dhe ne po përballemi me një krizë ekonomike. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tashmë është duke punuar në rivlerësimin e vlerave natyrore të Liqenit të Ohrit dhe drafti i parë i zonimit të ri është përgatitur, me ndihmën e ekspertëve nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen. Kjo është baza për rishpalljen e Liqenit të Ohrit si një monument natyre, por thelbi është në miratimin e Planit të Ri të Menaxhimit të Liqenit, i cili do të sigurojë mbrojtje të përshtatshme. Ministrat Nuredini dhe Klosi biseduan gjithashtu për intensifikimin e bashkëpunimit në këtë fushë duke përfshirë kolegët eskpertë nga Shqipëria në koordinimin e aktiviteteve në të dy anët e kufirit, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtje të integruar.

Ministri Nuredini informoi se është përgatitur Projekt-ligji për shpalljen e Kënetës së Studençishtës si një park natyror, i cili duhet të shpallet në çdo kohë për konsultim publik, dhe vendimi për mbrojtjen e përkohshme të zonës tashmë është nënshkruar nga ai.

Gjithashtu u diskutuan edhe tema të tjera me interes të përbashkët, të tilla si plani i ri i menaxhimit të Parkut Kombëtar Galiçica, dhe aktivitetet e përbashkëta në mbrojtjen e Parkut të Prespës.

Seanca u drejtua nga Ministrat e Kulturës të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, Irena Stefoska dhe Elva Margariti, përveç Ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë Veriore, Naser Nuredini, kolegu i tij nga Shqipëria, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, anëtarë të komisioneve kombëtare dhe ekspertë nga të dy vendet gjithashtu kontribuan për sa i përket kompetencave të tyre.

Përfaqësuesit e komisioneve kombëtare të të dy vendeve u dakorduan të paraqesin planin e përbashkët strategjik, i cili do të përfshijë një plan të hollësishëm veprimi me masa dhe aktivitete të ardhshme, në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më së voni deri në shkurt 2022.