Osmani iu drejtua Kuvendit: Jemi shembull i fqinjësisë së mirë

Gjatë vizitës së saj në RMV, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pohuar se dy vendet nuk janë vetëm fqinjë gjeografik, por ndajnë edhe të njëjtat vlera dhe të njëjtat synime. Të dyja vendet, sipas Osmanit, gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme, të cilat duhet të jenë model për rajonin. Falënderoi RMV-në, në veçanti shqiptarët që gjatë vitit 1999 hapën dyert për shqiptarët e Kosovës, të cilët po përballeshin me gjenocidin serb.

Marketing

“Në vitin 1999 në ditët e errëta tona, kur po rrezikohej ekzistenca jonë nga makineria gjenocidale e Millosheviqit, Maqedonia e Veriut e sidomos shqiptarët në këtë shtet hapën dyert dhe zemrat e tyre duke u bërë strehë për shumë të dëbuar me dhunë, prandaj faleminderit nga zemra në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk kam asnjë dilemë të vetme se RMV do të jetë në krah të Kosovës.”, – deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, po ashtu ka pohuar se shqiptarët në Maqedoni mbetën një urë e fortë lidhëse dhe falë popullit shqiptarë këndej, e andej kufirit, sot RMV dhe Kosova kanë synime të përbashkëta e ajo është integrimi i të dyja vende në BE.

“Populli shqiptar që jeton në Maqedoninë e Veriut ka qenë gjithnjë dhe mbetet përherë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona, sepse ata kishin rolin kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e RMV, ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj. Marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë një shembull pozitiv i fqinjësisë së mirë i Ballkanit Perëndimor.”, – theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, po ashtu potencoi se potenciali për bashkëpunim të ndërsjellë të rrafshin ekonomik është jashtëzakonisht i madh dhe kjo duhet të shfrytëzohet, sepse pikërisht në këtë drejtim të dyja vendet kanë punuar shumë në rritjen e shkëmbimit tregtar. Në emrin e Republikës së Kosovës falënderoi RMV-në për votën që i dha Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 24 prill. Sipas Osmanit të gjitha vendet duhet të punojnë ngushtë në parandalimin e përhapjes së frymës dhe politikës ruse në rajon, e që kanë qëllim të krijojnë ndasi. Osmani krejt në fund pohoi se të dyja vendet i ndajnë kufijtë, por do t’i bashkojë Evropa.