Autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë të ndodhur sot në Tiranë, Aldo Iamandi (Gjini) rezulton person me precedent penalë dhe në kërkim nga Europol. Dyshohet se në 24 nëntor të vitit 2020 ai ka kryer një tentative vrasjeje në Remich të Luksemburgut, ku qëlloi një person me pistoletë dhe më pas u arratis në Belgjikë.
Më 11 Shkurt 2021 ndaj tij u lëshua një urdhër-arresti ndërkombëtar. Ndërkohë, Gjini është arrestuar në vitin 2016 nga policia italiane si pjesë e një bande shpërndarësish të lëndëve narkotike në qytetin e Askolit. Gjini, në atë kohë 26 vjeç, ra në pranga bashkë me vëllain e tij Andis Gjini.
Mbrëmjen e së shtunës, Aldo Gjini dyshohet se qëlloi dhe plagosi dy persona në një lokal në rrugën “Todi Shkurti”, pas një konflikti për një fërkim mes makinave të tyre pranë tregut Elektrik. Për të parë se kush e kishte fajin në përplasjen e automjeteve, ata tentuan të shohin kamerat e sigurisë së lokalit, por kjo shkaktoi një sherr verbal. Gjini nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtim të Altin Gjokës dhe Jetmir Marashit për t’u larguar më pas me shpejtësi me makinë.