Qeveria nuk ndryshon dekretin për zgjedhjet

Qeveria nuk do ta ndryshojë dekretin për zgjedhjet për ta përshtatur atë me datën eventuale të zgjedhjeve. Kryeministri Oliver Spasovski tha se dekreti i miratuar në mars do të mbetet në fuqi kurse afatet për organizimin e zgjedhjeve vazhdojnë menjëherë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Marketing

Gjykata Kushtetuese solli vendim se Dekreti është bazuar në Kushtetutën, se është valid në sistemin tonë të drejtësisë prandaj tani nuk ka mundësi që ne të rimendohemi a është ai Dekret i mirë ose jo. Kështu që liderët politik duhet ta kenë parasysh se kur kanë sjell vendim për shtyrjen e zgjedhjeve, u soll Dekreti me të cilin u shtynë zgjedhjet dhe duhet ta dinë të gjithë se zgjedhjet përcaktohen nga dita e përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme -tha Oliver Spasovski, kryeministër.

Megjithatë Spasovski këmbëngul se vlerësimi i Qeverisë nëse duhet ose jo të ketë edhe një vendim tjetër për gjendje të jashtëzakonshme, nuk do të varet nga marrëveshja mes partive politike për datën e zgjedhjeve. Nëse Presidenti do të marrë një propozim tjetër për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të katërt, këtë Qeveria do ta vendosë deri të shtunën.