Qyteti i Shkupit dhe NP ,,Higjiena Komunale”, promovuan 540 kontejnerë dhe 4 kamionë të rinj për mbledhjen e mbetjes komunale

Qyteti i Shkupit dhe NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup promovuan 540 enët e reja me kapacitet prej 3,2 metër kub për mbledhjen e mbetjes komunale, të cilat gjatë këtij muaji do të vendosen në bulevardet dhe rrugët kryesore thuajse në të gjitha komunat e Shkupit. Përveç këtyre enëve, në 15 lokalitete do të vendosen edhe kontejnerë të rinj në të cilët qytetarët do të mund të bëjnë përzgjedhje primare të letrës dhe plastikës. Sot u promovuan edhe 950 kosha për mbetje prej të cilëve 100 janë të pajisur me qese për mbetje nga kafshët, si dhe dhjetë automjete elektrike komunale – fshesa dhe 12 fshesa speciale me vakum.

Marketing

,,Deri tani nuk kemi përdorur kontejnerë me këtë kapacitet. Analizat e deritanishme thonë se për mbledhjen e mbetjes komunale në territorin e Qytetit të Shkupit nevojiten afërsisht 6000 kontejnerë me kapacitet prej 1,1 metër kub. Me përdorimin e 540 enëve të reja prej 3,2 metër kub dhe 4100 enëve ekzistuese prej 1,1 metër kub, vijmë deri te kapaciteti i nevojshëm i projektuar për nevojat e qytetit tonë. NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup dhe Qyteti i Shkupit u furnizuan edhe me katër kamionë të rinj special nga marka IVECO të destinuar për zbrazjen e këtij lloji të enëve.

Pajisja e re do të kontribuojë për mbledhje dhe transport më efikas të mbetjes komunale, si dhe për mirëmbajtjen e higjienës dhe pastërtisë së sipërfaqeve publike të qytetit të Shkupit” – tha drejtori i NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani.

Kontejnerët e rinj, kamionët special për mbledhje dhe transport të mbetjes, koshat për mbeturina dhe fshesat elektrike janë furnizuar me mjete të përbashkëta të Qytetit të Shkupit dhe NP,,Higjiena Komunale’’-Shkup, dhe pjesërisht nëpërmjet donacionit nga Banka Botërore.