Raporti javor i IShP-së: 8.9% më pak infektime, 49 raste riinfektimi

Numri i personave të infektuar me Covid 19 në vend javën e fundit është ulur për 8.9 për qind. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se nga 15 deri më 21 nëntor, janë infektuar 2.929 persona, apo 288 më pak se një javë më herët. Megjithatë, shqetësuese janë riinfektimet.

Marketing

Janë 49 raste që për herë të dytë infektohen me Covid-19, e që e rrisin në 870 numrin e personave të rriinfektuar, të cilët përbëjnë 0.4 % të numrit total të të infektuarve deri tani. Brenda javës së kaluar janë kryer 19.791 testi e që është 7.3% më pak se një javë më parë. Varianti “Delta” është vërtetuar në të gjitha testet, ndërsa “Delta Plus” në asnjë nga ekzemplarët e testuar. Sërish me raste të reja kryeson Shkupi.

“Personat e infektuar janë të regjistruar në të gjitha grupmoshat, më së shumti janë personat mbi 60 vjeç 23.3%. Incidenca më e ulët është regjistruar në grupmoshën 0-9 vjeç (3.6%). Sipas gjinisë, 54.3% e pacientëve janë femra dhe 45.7% meshkuj.”,- thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Brenda javës janë raportuar 91 vdekje, kryesisht nga grupmosha mbi 60 vjeç (89%). Nga 8.290 rastet aktive, 495 janë të shtruar në spital, prej tyre 330 janë me mbështetje oksigjeni dhe 14 me ventilim mekanik. Në periudhën e njëjtë janë regjistruar 2.855 persona të shëruar.