Rrëshqitje dheu në Itali/Identifikohet viktima e parë, 12 të zhdukur

Viktima e parë e konfirmuar e rrëshqitjes së dheut në Casamiciola është një grua. Për momentin raportohen 12 të zhdukur, por ekipet e shpëtimit po gërmojnë në baltë në kërkim të njerëzve.

Trupi i gruas u identifikua dhe u gjet në Piazza Maio, një nga zonat e para të goditura, nga ekipet e shpëtimit. Sipas të gjitha gjasave, viktima, një shtetase e një vendi lindor dhe e martuar me një burrë në Ischia, u godit në moment nga rrëshqitja e dheut që nuk i la rrugëdalje. Në vendngjarje po operojnë 70 forca të zjarrfikësve, së bashku me efektivë të Mbrojtjes Civile dhe efektivë të policisë, por operacionet e shpëtimit janë komplikuar edhe nga kushtet e vështira atmosferike. Janë të aktivizuara gjithsej 20 automjete, duke përfshirë helikopterë, drone dhe pajisje tokësore. “Prefektura së bashku me Qarkun po organizojnë evakuimin e rreth 200 personave”, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi i cili foli për “një situatë të rëndë, me njerëz ndoshta ende nën baltë”.

Marketing

Zonat ku forca me të cilën goditi rrëshqitja është më e dukshme janë porti i Casamiciola dhe Piazza Bagni: nga mali Epomeo toka u largua dhe orteku i baltës fshiu bimësinë, pemët rrëshkitën duke lënë lakuriq anët e malit. Të paktën një duzinë makina dhe dy autobusë turistikë janë grumbulluar në breg të detit, të tërhequr nga forca e rrëshqitjes së dheut. Disa makina përfunduan në ujë, të tjera janë zhytur në baltë.