Shteti subvencionon kontributet për ta ndaluar ikjen e kuadrit profesionist

Masa e re për subvencionimin e kontributeve për pagat do ta mbajë kuadrin profesionist, do ta nxisë edhe prodhimtarinë e kompanive për rritje të re ekonomike që do ta lëvizë spiralen për rritje shtesë të pagave, e me këtë edhe të zhvillimit, vlerësoi sot Qeveria, duke i precizuar në kumtesë risitë me masën pas ribalancit të miratuar të Buxhetit, që dje e prezantuan kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Financave Nina Angellovska, njofton Medial.

Marketing

Me masën për subvencionimin e kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social për ndërmarrjet të cilat do t’i rrisin pagat e të punësuarve të tyre deri në 100 euro në kundërvlerë denari janë paraparë 400 milionë denarë. Me të, thekson Qeveria, mënjanohet ekonomia gri dhe dhënia e pagave me para kesh.

“Masa është me rëndësi të veçantë, sepse me të do të mbështeten kompanitë të cilat përballen me vështirësi për gjetjen dhe ruajtjen e kuadrit profesionist. Në këtë mënyrë, do të nxitet edhe prodhimtaria e kompanive që është bazë për rritje ekonomike. Nga ana tjetër do të nxitet spirala e rrogave, që do të reflektojë në rritjen e përshpejtuar të pagave. Masa së pari vlen njëjtë për të gjitha kompanitë dhe të punësuarit në sektorin privat. Ato janë rreth 610 mijë bashkëqytetarë tanë. Kjo masë nuk e përfshin administratën publike sepse kjo veprimtari nuk ka pagesë të pagave me para kesh, ndërsa me rritjen e pagave në këtë sektor, normal shkon edhe pagesa e kontributeve të rritura në mënyrë adekuate në secilën rritje”, qëndron në kumtesë.

Falë performansave të mira edhe të Buxhetit, të likuiditetit të saj dhe stabilitetit financiar, siç potencon Qeveria është konfirmuar se mund të alokohen 400 milionë denarët e parashikuara për subvencionimin e kontributeve që të mundësohet rritje e pagave.

“Me këtë masë, në vend që të japin para kesh si shtesë të pagave të punëtorëve, që t’i motivojnë, t’i ruajnë, punëdhënësit nuk e japin gjithë pagën bruto, sepse në total kontributet e pagës bruto janë 47 për qind bashkë me tatimin personal. Qëllimi është me të vërtetë që të demotivohet pagesa e një pjese të pagës në para kesh”, thonë nga Qeveria.

Me masën e re të cilën e propozon Qeveria, punëdhënësit do të paguajnë vetëm 11 për qind tatim personal, ndërsa pjesën tjetër, sigurimin pensional, shëndetësor dhe social, do ta mbulojë shteti.

“Kështu, punëtorët do të marrin paga më të larta neto dhe do të jenë të motivuar që të mbesin në punë. Kjo është masë e cila do të kontribuojë drejtë motivimit dhe të rinjve, dhe të gjithë të tjerëve, që të mbesin në shtet sepse pagat do të rriten”, theksojnë nga Qeveria dhe shtojnë se në krijimin e masës kanë pasur kujdes për ndikimet e masës në Buxhet dhe për këtë është vendosur limit në vlerën e kontributeve të cilat do të subvencionohen dhe ato janë adekuate me rritjen e pagës deri në 100 euro në kundërvlerë denari.

Sipas Qeverisë, efekt shtesë nga kjo masë është që, në thelb, me subvencionimin e kontributeve për sigurim shëndetësor dhe pensional, do të ndihmohen dy fondet, edhe ai shëndetësor edhe ai pensional, përkundër faktit që për shkak të pagesë me para kesh, këto fonde nuk i merrnin ato mjete.

“Kjo masë siguron të hyrat në mjetet në këto dy fonde, i stabilizon, por edhe i hapet mundësia për rritje shtesë të pagave, për shembull – në shëndetësi. Ky ribalanc i Buxhetit e ka pikërisht këtë qëllim që ta përshpejtojë rritjen dhe të grumbullojë më shumë para te qytetarët dhe kompanitë për rritjen e pagave”, thuhet në kumtesë.