Shumë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive

Dhjetëra vatra të zjarrit ende mbeten aktive në të gjithë territorin e vendit. Helikopterë ushtarak, aeroplanë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kamionë dhe këmbësori të Zjarrfikësve lokal po luftojnë në shuarjen e zjarreve aktive. Situata më alarmante është në Strugë, Krushevë, Veles, Çashkë, Berovë, Makedonski Brod, Koçanë dhe Katllanovë.

Marketing

Zjarret nëpër fusha, shkaktohen nga bujqit që punojnë tokën me qëllim që të pastrojnë kashtën, por zjarret në vendet malore lënë hapësirë për të dyshuar në zjarr-vënie të qëllimshme, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim:
Ballafaqohemi me shumë zjarre në terren.

Janë zjarre që shfrytëzohen nga individ të papërgjegjshëm që ndezin zjarr edhe ku duhet edhe ku nuk duhet. Është e vërtetë se shumica e zjarreve ku kërkohet ndihmë nga ne është për zjarret të cilët janë në terrenet ku fuqitë tokësore nuk mund të arrijnë deri atje me përgatitjet e veta për t’i shuar zjarret.

Është një pyetje me të vërtetë interesante pse zjarret paraqiten në këto vende ku qasja është shumë e rëndë -deklaroi Ekrem Zendeli, Zv/drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se ende është në fuqi ndalesa e qarkullimit të lirë në pyje. Nëse ndonjëri kapet duke lëvizur në pyje për çfarëdo qoftë arsye, do të gjobitet me mbi 1500 euro.

Për shkak të paraqitjes së zjarreve, duke u bazuar në nenin 57, pika 3 e Ligjit për Pyje, shqiptohet ndalesë për lëvizje në pyje dhe tokë pyjore. Për mosrespektim të kësaj ndalese, personat fizik që do të shihen duke lëvizur në pyje apo tokë pyjore, në bazë në nenit 106 të Ligjit për Pyje do t’ju shqiptohet gjobë prej 1500 euro deri në 2000 euro në kundërvlerë të denarit – thonë nga Ministria e Bujqësisë.

Vetëm 3 muajt e fundit, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 100 zjarre të përmasave të mëdha. Ministria e Brendshme ka ngritur 8 kallëzime penale për zjarrvënie të qëllimshme ndërsa vetëm një person deri tani ka përfunduar prapa grilave për këtë vepër.

Marketing