Në Afganistan po mbizotëron situatë shumë kaotike ku gjithkush vrapon, madje duke rrezikuar edhe jetën, për të gjetur vend në ndonjë aeroplan që do t’i largojë nga ky shtet. Nga 100 qytetarë të Maqedonisë së Veriut sa ndodheshin gjithsej atje, 25 prej tyre kanë shfrytëzuar mundësinë të largohen përmes fluturimeve komercial kur të njëjtat ende ishin në funksion. Ministri i Punëve të Jashtme informoi gjatë ditës se për 25 shtetas të tjerë është siguruar fluturim nga Kabuli për në Doha, Katar. Pritet të evakuohen edhe 50 të tjerë.
“25 të tjerë po presin fluturimin e radhës, për momentin ata janë në vend të sigurtë, janë duke u regjistruar dhe presin transferimin e tyre për në avion. Kemi informatë se dhe 25 qytetarë që janë të vendosur në bazën amerikane në Kabul, e cila është aty afër aeroportit të Kabulit, janë të sigurte dhe presin në listë për transferim deri në aeroport”- deklaroi Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut që të pranojë në strehim 6 shtetas afganë. Megjithatë, nuk dihet nëse ky do të jetë numri përfundimtar i afganëve që do të strehohen tek ne. Ministri Osmani tha se nëse organizatat ndërkombëtare do të kërkojnë diçka të tillë, vendi ynë do ta realizojë, pas vlerësimeve.
“Po përgatiten plane të tilla, nuk mund të spekuloj me shifra, por mund të theksoj se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga ne që të bëjmë strehimin e 6 personave kryesisht gra dhe fëmijë të të punësuarve në Kombet e Bashkuara, që t’i pranojmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sapo të arrijnë statusi i tyre do të rregullohet sipas dispozitave ligjore vendore.”- pohoi Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme.
Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se të gjitha çështjet që lidhen me misionin humanitar ndërkombëtar për të shpëtuar popullsinë lokale nga Afganistani do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të ekzekutivit. Ndërkohë informojnë se të gjitha implikimet financiare do të sigurohen nga organizatat ndërkombëtare, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit ushtarak dhe ato diplomatik Maqedonia i ka tërhequr nga Afganistani që në muajin korrik. Gjithashtu edhe disa shtete të tjera kanë bërë të njëjtën gjë disa javë më parë./Alsat