Struga reziston në premierën europiane, barazim në transfertë me Zalgiris

Struga e mbylli në barazim 0-0 ndeshjen e parë ndaj Zalgiris. Skuadra e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro që debutoi në Champions League, mori një rezultat shpresëdhënës për ndeshjen e kthimit një javë më pas teksa gjithçka është e hapur me Strugën që do të tentojë kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit më të rëndësishëm europian.

Marketing

Pjesa e parë nisi mirë për Strugën me miqtë që provuan në minutën e katërt me anë të Ibraimit që mori përsipër një goditje dënimi. Por, goditja e kapitenit u devijua në këndore duke shmangur rrezikun në portën kundërshtare.

Dhjetë minuta më pas ishte radha e vendasve për të “treguar dhëmbët” teksa Hnid goditi me kokë pas një këndoreje megjithatë gjeti në gatishmëri portierin Kjosevski. Ndërkaq, në të 35-tën u shfaq edhe mundësia ideale për Strugën, me Shabanin që pas një aksioni të rrjedhshëm nga e djathta doli i vetëm përballë portierit kundërshtar, por u ndal në momentin e fundit.

Kundërshtarët u përgjigjën me dy sulme të njëpasnjëshme, por sërish portieri Kjosevski u shfaq i sigurt. Ndërkohë, fraksioni i dytë nisi më mirë për Zalgiris që rrezikoi të shënonte në të 48-tën, por sërish portieri i Strugës u konfirmua i pakalueshëm.

Në vijim, Struga tentoi me Ibrahimin, por sulmuesi nuk kishte saktësinë e duhur ndërsa deri në fund rezultati nuk ndryshoi, pavarësisht disa mundësive të vendasve.

Kështu, në Vilnius u mbyll me shifrat 0-0, një rezultat i mirë për Kampionët e Maqedonisë dhe që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit një javë më pas.