Taksa ndaj Serbisë, Thaçi: Është pengesë serioze

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e taksës për lëndën e parë me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Marketing

Thaçi shprehet përmes një postimi në rrjetet sociale se mbajtja në fuqi e taksës dhe izolimi i Kosovës ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në raportet me SHBA-në.

Sipas Thaçit, mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze për Kosovën, ndërsa thekson se në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Sigurinë Nacionale, O’Brien u shpreh nevoja që të merren vendimet të duhura për të vijuar me dialogun.

“Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien. Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike. HTH,-shprehet Thaçi.

Më herët, ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti. Po ashtu Grenell ka theksuar se Kurti po bën një gabim të rëndë.

“Qëndrimi ynë është i qartë; tarifat duhet të hiqen tërësisht. Zoti Kurti po bën gabim të rëndë dhe kjo i është bërë e qartë presidentit (Hashim) Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi ambasadori Grenell në Twitter.