Tentoi ngjitjen e paautorizuar në “Eiffel”, policia ndalon personin e paidentifikuar(Foto)

Një person që u ngjit mbi kullën Eiffel në Paris, duke çuar në evakuimin e saj, u kap nga policia. Ai u ngjit mbi monumentin e famshëm parizien për më shumë se 6 orë.

Marketing

Personi nuk është identifikuar ende dhe është aktualisht në duart e ekipeve të emergjencave, ndërkohë që kulla u rihap për vizitorët mëngjesin e së martës, tha kompania që kujdeset për strukturën në një deklaratë për shtyp.
Procedurat e emergjencës, të ndjekura pas ngjitjes së paautorizuar të personit mbi kullë, çuan në një evakuim të monumentit ikonë, sheshit nën të dhe një pjese të “Champ de Mars”-it, pasditen e së hënës.

Mbyllja e papritur e një prej atraksioneve më të mëdha turistike në Francë irritoi vizitorët që kishin planifikuar të ngjiteshin mbi kullën 324 metra të lartë.

Kulla ka qenë, në fakt, shpesh objektiv i ngjitësve që shpresojnë të arrijnë majën e një prej strukturave më të famshme në botë. Por, policia është thirrur disa herë vitet e fundit, edhe për të parandaluar përpjekjet për vetëvrasje.

Rreth 7 milionë njerëz në vit e vizitojnë kullën e famshme, që javën e shkuar festoi përvjetorin e saj të 130.

Marketing