Tetovari, njëri ndër auto ngjyrosësit më të suksesshëm në Bern të Zvicrës

Sikur shumica e bashkatdhetarëve tanë, edhe prindërit e Afrim Bejtulit nga rrethina e Tetovës, fatin e tyre vendosën ta kërkojnë jashtë vendlindjes, në kohën kur çdo gjë që ishte shqiptare, ishte thjesht e ndaluar. Ishin vitet e largëta `70 të shekullit të kaluar, kur babai i Afrimit u vendos në Zvicër, me gjeneratën e parë të mërgimtarëve në këtë vend alpik. Rreth një dekade ai punoi punët e mundimshme nëpër kantierë të ndryshëm, ndërsa më pas i punoi fati dhe u punësua si vozitës kamioni.

Marketing

Tashmë ai është një vozitës me përvojë i autobusëve në rrethinë. Pas shumë peripecive të atëhershme administrative, më në fund arriti të bëjë bashkimin familjar dhe ta tërheq familjen në Zvicër, në vitin 1997. I etur për t`i edukuar e arsimuar fëmijët, Afrimin e dërgoi në shkoillën e mesme profesionale për auto ngjyrosës, të cilën e kreu në kohë të rregullt dhe me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 2003.

Pas kryerjes së shkollimit, ai u punësua në një karroceri në afërsi të Bernës, ku krijoi një përvojë të madhe në këtë lëmi, që në vitin 2010 të hap karrocerinë e tij private, pasi ishte tepër i dhënë pas veturave. Me një seriozitet të rrallë, ai filloi të afirmohet si një auto ngjyrosës, duke tërhequr klientë të shumtë dhe të famshëm, informon Shtegu.com. Njëri nga ta është edhe klienti kryesor i Afrimit, gjiganti tregtar i veturave në Zvicër, Emil Frey nga Münsingeni.

Specialiteti i Afrimit është rregullimi i veturave të shtrenjta, siç janë: Maseratti, Range Rover, Ferrari, Lamborghini, BMë, Audi etj. Ai ka të punësuar një auto ngjyrosës tjetër dhe hovi i tij nuk njeh kufinj.

“Është e pamundur që të shkosh te Afrimi e të mos mirëpret me të gjitha traditat shqiptare të mikpritjes. Është çudi e madhe se si ai gjen kohë për të ofruar pije dhe muhabet të këndshëm”, thotë një klient i tij, i cili e viziton shpesh.

Përndryshe, në bisedë e sipër, Afrimi tregon një rast që është i “zakonshëm” në trojet tona të Maqedonisë së Veriut. “Pasi më lindën dy fëmijë bineq në Zvicër, Blenori dhe Bleona tashmë gjashtëvjeçarë, vendosa t` i regjistroj në Maqedoninë e Veriut. Për çudi, kur i mora pasaportat e tyre, te njëri shkruante se ka lindur në Bernë të Zvicrës, ndërsa te tjetri në Gjermani. E pyesja vetveten: Si është e mundur që për një minutë e gjysmë dallim kohe, njëri të lind në Zvicër e tjetri në Gjermani?! Por, me kalimin e kohës u rregullua edhe ai problem”, tregon me humor Afrim Bejtuli.