Universiteti i Tetovës prezanton ofertën studimore

Universiteti i Tetovës hap dyert për studentët e rinj, duke prezantuar ofertën studimore, për vitin akademik 2023/24. Ditët e hapura në Universitetin e Tetovës kanë për qëllim të njoftojnë drejtpërsëdrejti maturantët e vendit dhe të rajonit për studimet dhe kushtet që ofron Universitetit i Tetovës. Pro- rektori për arsim, Ibrahim Neziri, tha se këtë vit akademik pritet të pranohen 2.500 studentë.

Marketing

“Këtë vit akademik UT-ja ofron 92 programe studimore në ciklin e parë dhe 106 programe në ciklin e dytë të studimeve. Vitin e kaluar kemi pasur një rritje të caktuar diku te 30% të numrit, për këtë vit nuk e dimë si do jetë numri, por shpresoj të sillet si vitin e kaluar. Ka shumë faktor që ndikojnë diku rreth 50% të maturantëve, zakonisht përzgjedhin UT-në. Zakonisht 2.000 student regjistrojmë në vitet e para, plus student të ciklit të dytë arrin 2.500 studentë.”, – deklaroi prorektori për arsim pranë Universitetit të Tetovës, Ibrahim Neziri.

Të pranishëm ishin edhe shumë kompani vendore, që UT-ja ka bërë traditë që në ditët e hapura absolventët të shohin edhe ofertat e kompanive që ofrojnë.

“Ne sot kemi hapur dyert për një numër të konsiderueshëm të kompanive, të cilat në numër total janë dikur 35 kompani, duke filluar nga kompanitë me industri fundamentale, të prodhimit të ushqimeve, të trajnimeve të gjuhëve të ndryshme dhe kompani tjera vendore në numër të shumtë. Tradicionalisht ne kemi shumë marrëveshje universitare me kompanitë vendore, të cilat drejtohen në Qendrën për karrierë të UT-së.”, – theksoi prorektori për shkencë, Agon Memeti.

Krahasuar me pesë vite më parë numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë në të gjitha universitetet publike e privat është përgjysmuar.