UT, sopranoja Inva Mula mbajti ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Arteve (FOTO)

Sopranoja shqiptare me renome ndërkombëtare, Inva Mula, gjatë qëndrimit në Tetovë, më 29 prill 2018, realizoi një takim me studentët e programit studimor të Solokëndimit të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës. Artistja e njohur është mirëpritur nga studentët e Fakultetit të Arteve, të cilët u shprehën të kënaqur që kishin mundësi të realizojnë një MasterClass  me artisten shqiptare me famë botërore. Në këtë takim MasterClass, Inva Mula fillimisht ka ndjekur studentët gjatë interpretimit të disa pikave artistike, ndërkaq më pas ka dhënë vlerësimet e saj, sugjerimet e vyera që rrallëherë studentët kanë fatin t’i ndjekin nga një soprano që ka performuar në skenat gjigante të metropoleve më të njohura të kontinentit.

Marketing

Qëndrimi në skenë, kontrolli i zërit gjatë interpretimit, ushtrimet e shpeshta, besimi në vetvete dhe rrëfimet për realizimet e suksesshme të dhjetëra koncerteve para mijëra artdashësve kudo në botë dhe përvojat artistike, ishin disa prej këshillave që sopranoja Inva Mula ua përcolli studentëve të Fakultetit të Arteve të UT-së.

Duhet theksuar se Universiteti i Tetovës e ka mbështetur realizimin e koncertit madhështor  të Inva Mulës të shoqëruar nga dirigjenti Gridi Kraja dhe Filarmonia e Maqedonisë, që u mbajt më 29 prill 2018 në Qendrën për Kulturë në Tetovë.

Personalitete të njohura nga jeta publike, në mesin e tyre edhe Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe qindra artdashës nga Tetova e më gjerë e kanë shijuar koncertin, performimin dhe zërin e saj magjik gjatë interpretimit të këngëve nga repertori shqiptar dhe i huaj.

Koncerti i lartpërmendur u realizua në kuadër të edicionit VI të organizuar nga Skena e Muzikës Serioze Shqiptare.