Xhaferi-Dançila: Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë të Veriut në NATO dhe BE ka rëndësi të madhe për Ballkanin Perëndimor

Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë të Veriut në NATO dhe Bashkimin Evropian ka rëndësi të madhe jo vetëm për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, kanë konstatuar në takimin e sotëm, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me kryeministren e Rumanisë, Vasilika Viorika Dançila.

Marketing

Siç kumtoi shërbimi i Kuvendit për informim, kryeministrja Dançila shprehu kënaqësi për takimin dhe drejtoi urime për ligjet e nxjerra reformuese dhe tejkalimin e çështjeve të hapura me vendet fqinje. Njëkohësisht, drejtoi urime edhe për ratifikimin e sotëm të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në Senatin e Rumanisë.

Sipas Dançilës, zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet prioritet për kryesinë rumune me ç’rast potencoi se fillimin e negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në në qershor do e konsiderojnë si arritjen kulmore të kryesimit rumun me Këshillin e BE-së.

Xhaferi falënderoi për mbështetjen e hapur të Rumanisë dhe uroi kryesim të suksesshëm me Këshillin e Bashkimit Evropian dhe zgjedhje të ardhshme të suksesshme të Parlamentit evropian. Ai falënderoi për mbështetjen konzistente të rrugës sonë euroatlantike dhe nënvizoi se për ne anëtarësimi në NATO paraqet prioritet shtetëror kulmor dhe prioritet strategjik për të cilin ka mbështetje prej qytetarëve dhe konsensus të gjerë politik.

Kryetari Xhaferi shprehu besim të sinqertë se gjatë kryesimit rumun me Këshillin e BE-së, Republika e Maqedonisë së Veriut do i fillojë negociatat aderuese për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2019.

Në takim, ndër të tjerat, u bisedua edhe për përparimin e pozitës së përfaqësuesve të minoriteteve në të dyja shtetet, ndërsa theks i veçantë u vu mbi intensifikimin e bashkëpunimit në planin kulturor, arsimor dhe ekonomik. .