Gjatë këtij muaji brenda ditës janë regjistruar 2 deri në tre zjarre në ditë.
Sot ka shpërthyer një vatër zjarri në fshatin Lubin të Komunës së Sarajit. Drejtori i zjarrfikësve Vlladimir Simonovski, ka bërë të ditur se menjëherë së bashku me tre ekipe zjarrfikëse, është nisur për në vendngjarje, në tentim për të lokalizuar zjarrin që të pamundësojnë t’u afrohet shtëpive të banimit.
U apelohet banorëve të lëvizin me kujdes. Është vënë nën kontroll ndërkohë, zjarri në Pintija në Shkup ku djegia e barit të thatë përfshiu edhe një pjesë të malit.
Në shuarjen e zjarrit u aktivizuan njësitet zjarrfikëse por edhe popullata lokale dhe zjarri u vu nën kontrollë, pasi ekzistonte rreziku që zjarri t’u afrohej shtëpive. Aktualisht zjarr ka edhe në malin e fshatit Grupçin të komunës së Zhelinës, ku zjarrfikësit po përpiqen ta shuajnë.
Një zjarr i madh ishte edhe ai në Velmej të komunës së Debarcës i cili ishte afruar 400 metra afër shtëpive.
Terreni i vështirë pamundësonte intervenimin e njësiteve të zjarrfikësve me automjete, prandaj u aktivizuan dy aeroplanë të Drejtorisë për mbrojtje dhe Shpëtim, kontributin e tyre e dhanë edhe vullnetarët dhe zjarri u vu nën kontroll. Zjarr u regjistrua edhe në Zajaz të Kërçovës, ashtu si edhe në Bukoviç të Sarajit.
Të dhënat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim flasin se numri i zjarrfikësve i plotëson vetëm gjysmën e nevojave pasi në vend të një zjarrfikësi për 1.500 banor , aktualisht ka 747 zjarrfikës apo një zjarrfikës për 2.778 banorë.