Pahor: Mesazhi i dobët i KE-së për marrëveshjet kufitare në Ballkanin Perëndimor

Presidenti slloven Borut Pahor ka thënë se Komisioni Evropian për arsye politike nuk e ka miratuar mendimin e shërbimit ligjor lidhur me mosmarrëveshjen kufitare Slloveni-Kroaci gjoja e favorshme për Slloveninë, dhe se kjo njëherësh paraqet një mesazh të keq për marrëveshjet e ardhshme të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Marketing

“Komisioni Evropian ka humbur një shans për të vlerësuar pikëpamjet e një shërbimi ligjor dhe gjithashtu theksoi se duhet të respektohen marrëveshjet bilaterale që janë të ratifikuara, dhe kështu mundësoi që me vendimin e arbitrazhit të përcaktohen kufijtë”, ka thënë Pahor duke komentuar shkrimin e të përjavshmes gjermane Der Spiegel se shumica e mendimeve, të cilat Lubjana i ka paraqitur në padinë e saj kundër Kroacisë për moszbatim të vendimit të arbitrazhit në kufi janë të sakta. “Komisioni nuk e ka marrë parasysh për arsye politike”, ka deklaruar ai, transmeton Hina.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker nuk dëshiron të ndërhyjë në konfliktin mbi kufijtë detarë Slloveni-Kroaci, edhe pse shërbimi ligjor ishte i mendimit se në këtë konflikt Sllovenia kishte të drejtë dhe se në këtë drejtim duhet të veprojë edhe KE, shkruan Spiegel, transmeton KP.

Në dokumentin, të cilin e kishte parë Spiegel, thuhet se shërbimi ligjor i Komisionit Evropian në mënyrë të qartë i jep të drejtë Sllovenisë dhe se për këtë arsye konkludon se “BE-ja duhet të pranojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit”.

Megjithatë, Qeveria kroate e konsideron vendimin e KE-së për të mos u përfshirë në kontestin kufitar si të drejtë.

“Komisioni ka vendosur që në mënyrë korrekte të mos ndërhyjë në kontestin rreth kufijve të Kroacisë dhe Sllovenisë”, tha qeveria kroate.