MANÇEVSKI: Administratorët të mos frikohen- të lajmërojnë presionet

Ministria për Administratë Publike ka hapur një link në të cilin administratorët mund të njoftojnë çdo lloj presioni që mund t’u bëhet, sidomos në këtë periudhë para referendumit, por edhe në të ardhmen.

Marketing

Ministri, Damjan Mançevski, fton administratorët që nëse hasin në presione të caktuara, të mos frikësohen por të flasin hapur. Çdo rast i paraqitur, do të ruajë anonimatin e paraqitësit dhe do të procedohet më tej në strukturat përkatëse, premton Mançevski.

“Mjeti synon të shërbejë si një mbrojtje për të gjithë të punësuarit në Administratën Publike, të cilët në rast të presionit eventual, kanë një vend lehtësisht të qasshëm për të adresuar. Është gjithashtu një paralajmërim për të gjithë ministrat, menaxherët, drejtorët… se çdo përpjekje për të abuzuar me pozitën e tyre zyrtare do të ndëshkohet ashpër”,- tha ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.

Por, VMRO thotë se deklarimet e tilla publike të ministrit të administratës janë vetëm një dëshmi plus se si LSDM mbulon presionet që po u bëhen qytetarëve. Presion popullit po i bëhet drejtpërdrejt nga Zaev, akuzon VMRO.
“Zaev, në një tubim të hapur, u bëri thirrje biznesmenëve që të motivojnë punonjësit me të holla për të votuar në referendum, duke cituar një kompani, pronari i së cilës ka premtuar se do të bëjë një gjë të tillë. Në një shtet ligjor, deri tani Zaev duhej të ishte thirrur në bisedë informative dhe ndaj tij duhet të kishte filluar procedura hetimore”,- u tha nga VMRO.

Sipas VMRO-së, ka prova të panumërta e të dukshme për presionet e përditshme në institucionet shtetërore dhe publike.
/TVM2/