Dy blerjet e verës te Barcelona, mund të largohen në janar

Dy nga blerjet verore të Barcelonës, sulmuesi anësor brazilian, Malcom dhe mesfushori kilen Arturo Vidal nuk po gjejnë aspak hapësira në formacionin e Valverdes dhe janë shndërruar në një çështje tashmë në Katalunjë.

Marketing

I pari erdhi nga Bordeaux për shumën e 41 milionë eurove dhe është shndërruar në një objekt misterioz, pasi ka luajtur vetëm 25 minuta gjatë këtyre dy muajve të parë të kampionatit, pavarësisht angazhimeve të shumta të “blaugranave”.

Edhe Vidal ka luajtur shumë pak, teksa zakonisht ka ardhur nga stoli dhe është aktivizuar vetëm në minutat e fundit, ndërsa vetë kileni nuk e ka fshehur zhgënjimin për këtë trajtim që i është rezervuar.

Drejtuesit e klubit po mendojnë që t’i largojnë lojtarët në janar, për të mos rënduar edhe më tepër situatën e tyre, por edhe për të mos prishur atmosferën në dhomat e zhveshjes.

Vetë Vidal ka pranuar se do të donte të transferohej në Meksikë, te Club America dhe klubi i Barcelonës ka ndërmend t’i plotësojë dëshirën, ndërsa për Malcom po mendohet që të huazohet në një klub ku të luajë rregullisht.

Klubet e interesuara për brazilianin janë disa, ndërsa katalanët ia kanë ofruar edhe Interit huazimin 6-mujor të Malcom, por zikaltrit vështirë se mund të joshen nga kjo mundësi, pasi kanë lojtarë mjaftueshëm në krahë.