Institucionet pa përgjigje për vrasjen e Ali Reçit

Policia dhe Prokuroria publike nuk tregojnë përse edhe pas 18 viteve nga vrasja e djaloshit 9 vjeçar Ali Reçi nga Veleshta e Strugës, nuk ka persona të dyshuar. Institucionet në fjalë pohojnë se i kanë ndërmarrë masat e nevojshme. Por, pas dy dekadave duke u endur nëpër institucione, familja nuk ka përgjigje kush dhe përse ë ka vrarë fëmijën e tyre në nëntor të vitit 2001. Shteti assesi nuk mund ta zgjidh rastin. Në përgjigjen e shkurtër që Alsat e mori nga Ministria e brendshme thuhet se i tërë materiali zyrtar që është përgatitur gjendet në Prokurorinë Themelore Publike.

Marketing

Masat e ndërmarra nga shërbimi janë bërë në konsultim me PTHP Strugë me qëllim të zbardhjes së rastit. Në bazë të udhëzimeve të PTHP-së, janë kryer biseda informative me më shumë persona, kryerës të mundshëm, okular dhe dëshmitarë të ngjarjes, me qëllim që të kemi njohuri për kapjen e kryerësit”, thonë nga MPB.

Edhe nga Prokuroria shtetërore në Shkup thonë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit. Procesverbali për ekspertizën e kryer në vendngjarje dhe për protokollin e obduksionit kanë qenë pjesë përbërëse të lëndës. Në to është nënvizuar se bëhet fjalë për vdekje me dhunë të fëmijës nëntëvjeçar.

Në vitin 2017, familja e të dëmtuar ka propozuar bisedë informative me një dëshmitarë shtesë, i cili me urdhër nga prokurori publik menjëherë është ftuar për dëshmi në stacionin e policisë. Në shënimet zyrtare për bisedën e kryer thuhet se në dëshminë e tij, personi nuk ka dhënë informata shtesë për ngjarjen. Me udhëzim nga prokurori publik, MPB edhe më tej vepron në drejtim të zbulimit të kryerësit të veprës penale”, thonë nga Prokuroia publike.

Alsat sërish ka hapur rastin lidhur me vrasjen ende të pazbardhur, që daton më 13 nëntor të vitit 2001. Atë ditë, djaloshi Ali Reçi është larguar nga shkolla më orën 16 pas mbarimit të orëve. Por, më pas nuk është kthyer në shtëpi. Familjarët e kanë kërkuar tërë natën, por pa sukses. Fëmija është gjetur i vdekur të nesërmen në lumin e afërt me shenja dhune në kokë. Në ndërkohë, është dorëzuar ankesë pranë Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg, ku familja padit shtetin, duke kërkuar përgjegjësi për veprim jo të duhur dhe kompensim të dëmit. Nesër prej orës 10 deri 11, do të organizohet protestë para Gjykatës Themelore në Strugë dhe stacionit policor me parullën “Drejtësi për Aliun”.