Dënimi i Saimir Tahirit me 3.4 vite burg, i cili konvertohet në shërbim prove, ka shkaktuar reagime jo vetëm ndër përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë, por edhe nga politika shqiptare.
Ambasada amerikane vlerëson se vendimi i djeshëm kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahirit, demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Por, sipas ambasadës, dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.
Edhe Ambasada britanike e ka vlerësuar dënimin e ish-ministrit si një hap përpara në rrugën e drejtësisë së re.
Por, Partia Demokratike deklaroi se ky vendim konfirmoi edhe njëherë se drejtësia në Shqipëri është e pashpresë.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka deklaruar se do ta apelojë vendimin për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahirin, për të cilin u rrëzua akuza e trafikimit të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.