Mjeku Ilir Alimehmeti ka publikuar në rrjetet sociale rezultatet e një studimi të zhvilluar nga kërkuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Mount Sinai, New York (SHBA), i cili tregon se çfarë ndodh nëse vaksinohet një person që e ka COVID-19.
Të dhënat e studimit të publikuar tregojnë që ata që e kanë kaluar sëmundjen, nëse iu injektohet një dozë e vetme e vaksinës Phizer apo Moderna arrijnë një nivel antitrupash 10-fish më të lartë se sa personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.
Ndërsa marrja e dozës së dytë e ngre nivelin e antitrupave në 16-fish në krahasim me personat që nuk e kanë kaluar COVID-19.
Postimi i plotë i Ilir Alimehmetit
Miqtë e mi, prej disa ditësh shumë prej jush më kanë pyetur çfarë ndodh nëse vaksinohet dikush që e ka kaluar infeksionin natyror nga COVID-19!
Duke marrë shkas prej këtyre pyetjeve, le të shohim së bashku të vetmin studim të kryer në këtë drejtim. Kërkuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Mount Sinai, Neë York (SHBA) përmes një studimi të botuar preprint më 1 Shkurt 2021, studiuan pikërisht diferencat e përgjigjes së vaksinës ndërmjet atyre që e kanë kaluar dhe atyre që nuk e kanë kaluar sëmundjen.
Në detaj ata vaksinuan me vaksinën e Pfizer-BionTech ose të Modernës:
68 persona seronegativë (nuk e kanë kaluar sëmundjen), dhe
41 persona seropozitivë (e kanë kaluar sëmundjen).
Siç e dimë, kjo vaksinë kërkon të përdoret një skemë me dy injeksione me distancë 3-javore dhe pritet që maksimumi i përgjigjes të ndodhë rreth 1 javë pas marrjes së dozës së dytë.
Autorët matën përgjigjen e antitrupave te këta individë, si edhe studiuan efektet anësore ndër ta.
Rezultatet e përgjigjes së titrit të antitrupave (shprehur në AUC “area under the curve”):
Te personat që nuk e kishin kaluar sëmundjen:
përpara vaksinimit: AUC = 1
9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 439
13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037
17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037
21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.075
Pas dozës së dytë: AUC = 1.399
Te personat që e kishin kaluar sëmundjen:
përpara vaksinimit: AUC = 91
5-8 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 14.208
9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 20.783
13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 25.927
17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 12.661
21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 16.263
Pas dozës së dytë: AUC = 22.509
Pra e thënë shkurt:
Ata që e kanë kaluar sëmundjen, me një dozë të vetme vaksine arrijnë një nivel antitrupash 10-fish më të lartë se sa personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Marrja e dozës së dytë e ngre nivelin e antitrupave në 16-fish në krahasim me ata që nuk e kanë kaluar. Të gjitha efektet anësore ishin të lehta. Efektet anësore ishin më të shumta dhe më të forta te personat që e kishin kaluar sëmundjen.
Efektet anësore përfshinin: dhembje, enjtje dhe skuqje në vendin e injeksionit,
lodhje, dhembje koke, ndjenjë ethesh, dhembje muskujsh, temperaturë, dhe dhembje të artikulacioneve.
Autorët dalin në përfundimin se: Ndryshimi i politikës së vaksinës që t’u jepet vetëm një dozë vaksine personave që e kanë kaluar sëmundjen nuk do të ndikonte negativisht në titrat e antitrupave, do t’u kursente atyre vuajtje të panevojshme, dhe do të vinte në dispozicion shumë doza vaksinash që nevojiten me urgjencë për të tjerë.