Protokolle të reja në shkolla: Në temperatura të larta mund të shkurtohen orët mësimore
Shkollat duhet ta përshtatin procesin mësimor me temperaturat e larta, në përputhje me protokollet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë, moti i nxehtë nuk nënkupton automatikisht shkurtimin e orëve, deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Protokollet u janë dërguar të gjitha shkollave dhe përmbajnë udhëzime për ajrosjen e klasave, hapjen dhe mbylljen e dritareve, si dhe aktivitetet që duhet të zhvillohen gjatë temperaturave të larta.
Janevska sqaroi se në ditët shumë të nxehta, ora e edukimit fizik mund të zëvendësohet me aktivitete që kërkojnë më pak mundim fizik. Shkollat duhet t’u përshtaten kushteve pa e ndërprerë procesin mësimor.
E pyetur nëse shkollat do të pajisen me kondicionerë, ministrja tha se kjo do të bëhet kur shteti të ketë mundësi të sigurojë pajisje për të gjitha objektet shkollore. / Aktuale.mk
