Ademi: Indikatori i BB do të ndihmojë në përmirësimin e politikave arsimore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i analizon të dhënat e fituara nga hulumtimi i fundit i Bankës Botërore, si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe në bazë të hulumtimeve të tilla do t’i bazojë të gjitha politikat arsimore reformuese me qëllim që të arrihet niveli i cilësisë së arsimit që e kanë vendet evropiane.

Marketing

Këtë për MIA-n e deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në lidhje me hulumtimin e fundit të Bankës Botërore, sipas së cilit Indeksi i Kapitalit Njerëzor (IKNJ) të Maqedonisë është më i ulët se mesatarja në rajon dhe grupit të të ardhurave dhe se nevojiten masa urgjente.

“Këto indikatorë do të na ndihmojnë në përmirësimin e politikave arsimore të planifikuara deri tani, përmes të cilave synojmë drejtë një arsimimi realisht më të mirë për të gjithë fëmijët në Republikën e Maqedonisë, pavarësisht cilës kategorie nxënësish i përkasin”, theksoi ministri.

Sipas tij, Republika e Maqedonisë mbetet e përkushtuar në pjesëmarrjen në testimet ndërkombëtare, gjegjësisht vlerësimet siç janë PISA, për të cilat tashmë është nënshkruar marrëveshje për tre vitet e ardhshme me OECD.
Ai shtoi se që nga ky vit shkollor në drejtim të përmirësimit të kompetencave dhe aftësive të nxënësve në arsimin e mesëm profesional dhe lidhjen me tregun e punës, është realizuar i ashtuquajturi arsim dual, në të cilën nxënësit kyçen drejtpërdrejt në procesin e prodhimit në kompanitë.

Kështu, theksoi Ademi, e bashkojmë ekonominë me arsim përmes trajnimit të kuadrove i cili do t’u nevojitet kompanive që në vetë arsimin, ndërsa lehtësohet edhe rruga e të rinjve deri te punësimi pas përfundimit të arsimit të mesëm profesional.
Ademi thekson se është bërë edhe përmirësim në programet mësimore në të gjitha nivelet e arsimit dhe programet janë fokusuar në rezultatet e mësimit, e jo vetëm memorizimin e përmbajtjeve të teksteve shkollore.

Sipas raportit të Bankës Botërore i cili u publikua dje, fëmijët në Maqedoni deri në moshën 18 vjeçare pritet të përfundojnë 11,2 vjet të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm. Megjithatë, kur vitet e shkollimit do të përshtaten sipas cilësisë së të mësuarit, kjo është ekuivalente me vetëm 6,8 vjet, që do të thotë se ka një hendek në të mësuarit prej 4,4 vjetësh.

Sipas hulumtimit, IKNJ tregon se një fëmijë i lindur sot në Maqedoni kur të rritet do të jetë produktiv 53 për qind nga ajo që mund të ishte nëse ka pasur arsim të plotë dhe ka qenë tërësisht i shëndoshë.

“Vlera e indeksit, veçanërisht vlera e treguesve arsimor, tregon ndërmarrje urgjente të masave. Duket se reformat e deritanishme nuk e kanë transformuar sistemin arsimor mjaftueshëm që t’u ndihmojë shumicës së nxënësve të arrijnë të paktën njohuritë bazë”, thotë Marko Mantovanelli, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni.

Ministri i Arsimit në deklaratën për MIA-n thekson se si Ministri mbeten të hapur për bashkëpunim lidhur me përmirësimin e cilësisë së procesit edukativ arsimor me qëllim të krijimit të politikave arsimore dhe zbatimin e tyre me të cilat do të krijohen individë të fortë që do të kontribuojnë dhe do të jenë bartës të ndryshimeve në situatën sociale në vendin tonë, gjegjësisht, do të jenë bartës të ndryshimeve, jo vetëm pasues.

Marketing