Ahmeti – Baumgartner: Presim datë për konferencën e parë me Bashkimin Europian

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka pritur
sot në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut,
z. Cyril Baumgartner.

Marketing

Ahmeti dhe Baumgartner diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në
Maqedoninë e Veriut, rëndësinë e stabilitetit dhe konzistencës politike
që vendi të vazhdojë rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Europian, si dhe
zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me Bullgarinë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i ka shprehur ambasadorit Baumgartner
faleminderimin e tij ndaj Republikës së Francës për përkrahjen e
vazhdueshme që i jep vendit duke potencuar edhe nevojën e thëllimit të
mëtejshëm të marrëdhënieve të mira bilaterale mes dy vendeve.


Ahmeti e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm rolin dhe qasjen
kontruktive të Francës për perspektivën europiane të Maqedonisë së
Veriut, veçanërisht në periudhën e presidencës së saj me Bashkimin
Europian nga Janari deri në Qershor të vitit 2022 duke përshëndetur
iniciativën e Samitit për Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës
franceze.

Z. Ahmeti përshëndeti zgjedhjen e qeverisë së re në Bullgari dhe shprehu
nevojën dhe gatishmërinë për zhvillim të menjëhershëm të dialogut
intenziv dhe konstruktiv në muajt vijues për ta mbyllur çështjen
bilaterale midis dy vendeve tona dhe mbajtjen e konferencës së parë
ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë dhe nevojën e bashkëpunimit
më intenziv të të dyja vendeve në drejtim të avancimit të procesit
eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit
Perëndimor, mbajtjes sa më të shpejtë të mbledhjes së parë
ndërqeveritare dhe marrjes së datës së bisedimeve me Bashkimin Europian.