Ambasadori italian Silvestri, mirëpriti drejtorin Asani

Në vazhdimin e aktiviteteve dhe takimeve me korin diplomatik dhe shtetëror, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, në Ambasadën e Italisë në Shkup u prit nga ambasadori Andrea Silvestri.
Me këtë rast, Asani ia prezantoi ambasadorit punën shkencore të Institutit, që me gjithë vështirësitë, po shtrihet me sukses në më shumë sfera me interes për studimet albanologjike dhe interdiciplinare, si dhe po jep një kontribut të çmuar në respektimin e lirive fetare dhe marrëdhënieve ndëretnike në vend. Ai veçanërisht e njoftoi ambasadorin italian me aktivitetet e fundit të Departamentit për Edukimin dhe Studimin e Holokaustit dhe Departamentit për Studimin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Drejtori Asani e informoi ambasadorin Silvestri për manifestimin e radhës “Ditët e Alfabetit”, i cili sivjet për temë bazë do të ketë trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të arbëreshëve të Italisë, të cilët paraqesin edhe një urë lidhëse shtesë mes kombit shqiptar dhe italian. Ambasadori e mirëpriti këtë nismë dhe shprehu gatishmërinë që të jetë pjesë e këtij manifestimi të rëndësishëm kulturor – shkencor.
Gjatë këtij takimi, iu dhuruan Ambasadës italiane edhe një sërë botimesh të fundit të Institutit, të cilat përveç se në gjuhën shqipe, janë botuar edhe në maqedonisht dhe anglisht.

Marketing