Çair, tri shkolla dhe një kopsht pajisen me fotovoltaik

Tri shkolla dhe një kopsht në Çair do të pajisen me panele foto-voltaike. Marrëveshja për këtë projekt u nënshkrua në hapësirat e komunës mes kryetarit të Çairit, Visar Ganiu dhe ministrit të pushtetit lokal, Risto Penov. Në kohë të krizën energjetike, ky projekt është i një rëndësie të veçantë thanë autoritetet, pasi sipas tyre do të shkurtohen shpenzimet e komunës.

Marketing

“Bëhet fjalë për shkollat “Imri Elezi”, “Hasan Prishtina”, “Liria” dhe kopshti për fëmijë “Borëbardha”. Këto panele fotovoltaike në komunën e Çairit do të prodhojnë 104.780 kilovat energji elektrike për një vit. Njëkohësisht, përmes këtij projekti në tri shkolla parashihet zëvendësimi i poçeve të vjetra elektrike me 1.456 poçe të reja eficiente, të cilat së bashku me panelet do të ndikojnë në shkurtimin e harxhimeve për energji elektrike.”, – deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Me këtë komuna e Çairit përfshihet në intencat e qeverisë për kursim të energjisë elektrike, për prodhim të energjisë elektrike në mënyrë ekologjike, me çka këto shkolla do të kenë më pak shpenzime dhe në këtë mënyrë edhe komuna do të ketë më pak harxhime, me çka më shumë mjete mund të shkojnë për projekte tjera të rëndësishme për qytetarët.”, – theksoi ministri i pushtetit lokal, Risto Penov.

Ky projekt është me vlerë të përgjithshme prej 423.038 eurosh dhe financohet nga Bashkimi Evropian përmes Programit për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndërsa i bashkëfinancuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.