Çip në trurin e njeriut, ndihmon të verbrit e të paralizuarit të rifitojnë aftësitë

Firma e implanteve të trurit Neuralink, e drejtuar nga multimiliarderi Elon Musk, ka njoftuar se ka marrë miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për të nisur fazën e testimeve të njerëzit. Kompania synon me këtë teknologji të ndihmojë në rivendosjen e shikimit dhe lëvizshmërisë së njerëzve duke lidhur trurin me kompjuterët.

Marketing

Disa herë që nga viti 2019, miliarderi Elon Musk kishte parashikuar se kompania e tij e çipave të trurit do të siguronte së shpejti miratimin e FDA-së për provat njerëzore.

Megjithatë aplikimi i kompanisë u refuzua në fillim të vitit 2022 dhe kompania po punonte lidhur me shqetësimet e agjencisë mbi sigurinë e implantit eksperimental.
“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi i Neuralink-ut në bashkëpunim të ngushtë me FDA-në dhe përbën një hap të parë të rëndësishëm që një ditë do të lejojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz”, thuhet në një postim të kompanisë Neuralink. Megjithatë zyrtarët e FDA-së nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Neuralink shpreson të përdorë mikroçipet e saj për të trajtuar kushte të tilla si paraliza dhe verbëria, si edhe për të ndihmuar disa njerëz me aftësi të kufizuara të përdorin kompjuterët dhe teknologjinë.