Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë përparimin e rëndësishëm të bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, tha ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Por Hill tha se serbët duhet t’i respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe të kthehen në institucionet e Kosovës.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill për N1.
Ai tha se SHBA-të i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë, që do të thotë se procesi për riregjistrimin e automjeteve të shtyjë menjëherë dhe çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të targave të lëshuara nga Serbia të pezullohet derisa palët ta zgjidhin çështjen e targave brenda dialogut.
“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për ta zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Hill.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “ta zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe t’i respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.