MSh: Gjendja në Gostivar po trajtohet si ngjarje epidemike aktive, raste të reja
Ministria e Shëndetësisë informon opinionin se institucionet kompetente shëndetësore po vazhdojnë me monitorimin dhe hetimin intensiv të numrit të shtuar të personave me simptoma të gastroenterokolitit në rajonin e Gostivarit.
Gjatë periudhës nga 18 korriku, ora 08:00, deri më 19 korrik, ora 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë regjistruar:
- 204 kontrolle në Repartin Infektiv, ku tre persona janë hospitalizuar;
- 140 kontrolle në Repartin e Pediatrisë, prej të cilave 105 raste të reja dhe 35 kontrolle;
- nëntë kontrolle në Qendrën Urgjente.
Pasqyra klinike te shumica e pacientëve është e lehtë, ndërsa numri i personave të hospitalizuar mbetet i ulët. Megjithatë, për shkak të numrit të shtuar të të prekurve brenda një periudhe të shkurtër, gjendja po trajtohet si ngjarje epidemike aktive dhe po zbatohen të gjitha aktivitetet e nevojshme epidemiologjike, laboratorike dhe parandaluese.
Njësia rajonale e Qendrës së Shëndetit Publik në Gostivar po kryen inspektime në terren, anketime epidemiologjike dhe grumbullimin e të dhënave nga personat e prekur. Deri tani janë dorëzuar rreth 140 paraqitje zyrtare për sëmundje ngjitëse, të cilat po përpunohen nga ekipet epidemiologjike të Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë dhe Institutit të Shëndetit Publik.
Instituti i Shëndetit Publik është përfshirë në hetim me mbështetje profesionale dhe laboratorike, ndërsa ekipet e përbashkëta vazhdojnë me anketimin e të prekurve, analizimin e ekspozimeve të mundshme të përbashkëta dhe ekzaminimin mikrobiologjik të mostrave të marra.
Në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse, institucioni kompetent për shpalljen e epidemisë në rajonin e Gostivarit është Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë. Pas inspektimeve në terren, anketimeve epidemiologjike dhe përmbledhjes së paraqitjeve të pranuara, Qendra kompetente gjatë ditës së sotme do të marrë vendimin përkatës.
Aktualisht po zhvillohen:
- hetimi epidemiologjik dhe monitorimi aktiv i rasteve të reja;
- analizat mikrobiologjike të mostrave të pacientëve;
- analizat e mostrave të ujit dhe vlerësimi i burimeve të mundshme të infeksionit;
- mbikëqyrja e furnizimit me ujë dhe e kushteve sanitare e higjienike;
- koordinimi me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe institucionet lokale.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’i ndjekin rekomandimet zyrtare, të kujdesen rregullisht për higjienën e duarve, ndërsa personat që kanë të vjella, diarre, temperaturë të lartë ose shenja dehidrimi të kërkojnë me kohë ndihmë mjekësore.
Opinioni do të informohet rregullisht dhe në mënyrë transparente për rezultatet laboratorike, lëvizjen e numrit të të prekurve dhe të gjitha masat shtesë që do të ndërmerren. / Aktuale.mk
