Pas raportimit në FIFA, ministri Çeku pranon kërcënime me vrasje nga Serbia

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se është kërcënuar me vrasje nga Serbia.

Marketing

Kjo, pas raportimit në FIFA, për shpalosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës dhe me simbole serbe në Kupën e Botës në Katar.

“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022”, ka thënë Çeku.

Ai ka treguar se fyerjet janë drejtuar edhe ndaj familjes së tij.

“Kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ministri.

Më tej theksoi se reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s.

“Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare”.

“Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, shkroi Çeku në Facebook.