Pendarovski priti një delegacion të Forcave të Armatosura bullgare, të kryesuar nga gjenerali Bocev

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot priti një delegacion të Forcave të Armatosura të Republikës së Bullgarisë, të kryesuar nga kryeshefi i Shtatmadhorisë, gjeneral Andrej Bocev.

Marketing

Në takim është konfirmuar bashkëpunimi midis armatave të të dyja vendeve, por edhe bashkëpunimi i përgjithshëm midis Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Republikës së Bullgarisë në planin mbrojtës, me ç’rast është konstatuar se në këtë mënyrë të dyja shtetet kontribuojnë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Presidenti Pendarovski, siç bëri të ditur Kabineti i tij, ka potencuar se përvoja e Forcave të Armatosura të Republikës së Bullgarisë si vend-anëtar i NATO-s, mund të jetë në dobi për Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Presidenti Pendarovski theksoi se Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Republikës së Maqedonisë dhe Bullgarisë të nënshkruar në gusht të vitit 2017, ka vendosur dinamikë pozitive në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe”, qëndron në kumtesë.

Takimin, shefi i shtetit Pendarovski e ka shfrytëzuar që t’i shprehë falënderim gjeneralit Bocev për mbështetjen e Bullgarisë për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, të konfirmuar me ratifikimin e Protokollit inkuadrues për anëtarësim në Aleancë nga ana e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë në shkurt të këtij viti.