Putin: Rusia do të zbatojë “të gjitha planet” në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të vazhdojë të ndjekë “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë derisa të gjitha planet e saj të zbatohen.

Marketing

Duke folur në një koncert në stadiumin Luzhniki në Moskë, Putini në mënyrë implicite hodhi poshtë raportet e mediave perëndimore që pretendonin se lufta nuk po shkon sipas planit, duke pohuar se Moska është e qartë për hapat e ardhshëm në Ukrainë.

“Ne e dimë se çfarë duhet bërë pas kësaj, si ta bëjmë këtë dhe me çfarë shpenzimi. Dhe ne do të zbatojmë patjetër të gjitha planet e përshkruara”, tha ai.

Putin tha se populli i Donbasit, rajonit të Ukrainës lindore me një popullsi të madhe etnike ruse, “u dënuan sepse kundërshtuan grushtin e shtetit të vitit 2014”, në të cilin sipas presidentit rus, u përmbys presidenti pro-rus Viktor Janukoviç, duke shtuar se qëllimi i Rusisë në Ukrainë është t’i çlirojë ata nga presioni ushtarak dhe bllokada ekonomike dhe të rivendosë jetën normale.

Që nga viti 2014, Rusia ka mbështetur separatistët në Donbas, një konflikt që sipas të dhënave të OKB-së ka shkaktuar vdekjen e mbi 13.000 personave.

Putin tha se ushtria ruse dhe forcat rebele të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, dy enklava të shkëputura në Donbas të njohura nga Rusia, ndihmojnë njëri-tjetrin si vëllezër.

“Më vijnë në mendje fjalët nga shkrimi i shenjtë: ‘Nuk ka dashuri më të madhe se sa nëse dikush jep jetën e tij për miqtë e tij”, tha Putin, duke cituar Librin Biblik të Gjonit.

Lufta Rusi-Ukrainë filloi më 24 shkurt me pretendimet ruse se po mbron Donbasin nga “gjenocidi”, por u përhap shpejt në pjesën tjetër të vendit.

Lufta ka shkaktuar dënimin ndërkombëtar, ka rezultuar në kufizime financiare në Moskë dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Sipas OKB-së, të paktën 816 civilë janë vrarë dhe 1.333 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, duek theksuar se kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin e numrit aktual.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 3,27 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje.