Rasti “Monstra”, mbrojtja me 20 prova të reja verbale e materiale

Në vazhdimin e gjykimit në Gjykatën Penale për rastin “Monstra” u prezantuan dëshmitë në lidhje me gjetjen e veturës “Opel Omega”. Shefi i sektorit për mbikëqyrje në vendin e ngjarjes pranë SPB – Shkup, Goran Miloshevski, dëshmoi rreth veturës  që u gjet në vendin Vrazhivir, por tha se për lidhjen e mundshme të saj me krimin makabër është njoftuar nga eprori i tij.
“Nga eprori, Vllado Mirçevski, u njoftova se në Vrazhivir me siguri është gjetur një automjet që lidhet me ngjarjen e 12 prillit. Ne morëm lajmërim nga Qendra për njoftime dhe komanda, ka shërbime të tjera të cilat përpunojnë njohuri operative, kompetenca jonë është për inspektim në vendin e ngjarjes”,- tha Milloshevski.
Mbrojtja e të akuzuarve për vrasjen, dorëzoi rreth 20 prova të reja verbale dhe materiale për të dëshmuar pafajësinë e tyre. Ato  duhet të prezantohen në seancat e ardhshme. Për mbrojtjen është me rëndësi të bëhet lidhja mes veturës dhe personit që i pari e lidhi atë me rastin.
“Sipas provave ka më shumë njerëz që kanë denoncuar këtë rast makabër, por duhet ta dimë kush i pari e ka paraqitur dhe kush është ai që e ka lidhur këtë veturë me këtë delikt. Ky është thelbi pse të aludohet me këtë veturë, ju e dini që me 13-in praktikisht të nesërmen dikush ka lajmëruar që është një veturë e braktisur kinse e ka ditur që pikërisht vetura ka të bëjë me rastin në fjalë.”,-  theksoi avokati mbrojtës i të akuzuarve, Naser Raufi.
Mbrojtja ka shtuar listën e dëshmitarëve edhe me ish ministrin Mile Janakievski, që duhet të përgjigjet rreth bisedës  me  ish-ministren e brendshme, Gordana Jankullovska.  Për palën e dëmtuar, kjo dëshmi ishte e parëndësishme në zbardhjen e plotë të rastit.
“Puna e tij ishte që ta merr veturën në ekspertizë dhe në bazë të saj të bëhet kontrolli i plotë. Përmendi informacione të Qendrës për njoftime dhe komanda, në linjën 199, kështu që erdhi por kjo dëshmi nuk do të sjellë ndonjë ndikim të rëndësishëm në zbardhjen e rastit.”,- theksoi avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanovska.
Për vrasjen e 12 prillit të vitit 2012, akuzohen Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq (që vazhdojnë të jenë në arrati) dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Seanca e ardhshme është caktuar për më 31 gusht.