Policia spanjolle, e mbështetur nga disa elemente ushtarake, është përleshur me mijëra protestues në rrugët e Barcelonës në orët e vona të së shtunës. Përleshjet ndodhën afër stacionit qendror të policisë. Në këtë mënyrë, protesta që nisi në mënyrë paqësore më vonë u bë e dhunshme.
Pasi rreth 350 mijë njerëz në mënyrë paqësore u tubuan në qendër të qytetit gjatë ditës, një grup tjetër i protestuesve filloi të mblidhej rreth orës 7 e 30 minuta të mbrëmjes rreth stacionit qendror të policisë në Barcelonë. Kur aty u tubuan rreth 10 mijë njerëz, protestuesit filluan ta sulmojnë policinë me shishe dhe objekte të tjera.
Protesta e mbrëmjes u organizua nga grupi “CDR”, i cili bën thirrje për veprime të drejtpërdrejta. Këto aksione bënë që të ndërpritet qarkullimi i veturave dhe trenave, ndërsa disa njerëz u përpoqën të futen edhe në ndërtesën e kuvendit rajonal.
Raportohet se një fotograf i agjencisë “Reuters” është dërguar në spital pasi u godit nga një plumb gome, ndërsa mjekët e shërbimit emergjent në Katalonjë thanë se i kanë trajtuar katër persona. Për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk ishte i lënduar rëndë.
Katalonja është përfshirë nga protestat masive që nga e hëna e 14 tetorit, kur Gjykata Supreme e Spanjës dha mbi 100 vjet burgim për ish-liderët separatistë që e shpallën pavarësinë e rajonit në kundërshtim me kushtetutën spanjolle.
Më shumë se 600 persona janë lënduar deri tash gjatë protestave. Prej tyre, 367 janë civilë, ndërsa 289 të tjerë pjesëtarë të forcave të sigurisë, shkruan “The Guardian”.