Viti më i zi në rrugë, brenda gjashtë muajve 70 viktima

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, 70 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore në shtet. Në vitin 2018, sipas të dhënave të SPB Shkup, numri i përgjithshëm i viktimave të aksidenteve rrugore është 118. Për Forumin për aktivizëm qytetar, viti 2019 është viti më i errët për Republikën e Maqedonisë së Veriut ore në rrugë dhe nevojiten ndryshime urgjente sistemore.
Të dhënat statistikore e tregojnë, e kjo me siguri mund të konstatohet, shprehen nga Forumi, se viti 2019 është viti më i errët në rrugët e shtetit nëse krahasohen 20 vitet e fundit.

Marketing

– Vetëm si shembull për krahasim, në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 ka rritje të numrit të viktimave të aksidenteve rrugore për 20 për qind në krahasim me vitin 2018, ndërsa në krahasim me vitin 2017, ky numër është rritur me 25 për qind, sqarojnë nga Forumi për aktivizëm qytetar.
Prej atje bëjnë të ditur se ekzistojnë vetëm angazhime deklarative, por zvogëluar intensiteti i aktiviteteve dhe reformave dhe nuk ka kurrfarë ndryshimesh thelbësore dhe sistemore. – Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet institucional për t’u përballur me sigurinë në komunikacion. Kjo mund të vërehet përmes ndjekjes së përditshme të të dhënave tronditëse statistikore për aksidentet rrugore në vitin 2019, vlerëson Forumi.
Ata përkujtojnë se Komisioni Evropian në qershor të këtij viti lëshoi ​​një dokument strategjik me të cilin përmes treguesve do të ndiqet gjendja e sigurisë në rrugët e vendeve anëtare të BE-së. Në këtë drejtim, dokumenti parashikon një ulje prej 50 për qind të numrit të viktimave të aksidenteve rrugore deri në vitin 2030.
– Ndryshimet institucionale duhet të jenë të koordinuara, e para së gjithash janë të orientuara drejt reformimit dhe forcimit të legjislacionit nga Ministria e Brendshme, investimit në infrastrukturë dhe ndërtimit të rrugëve moderne nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, reagim më të shpejtë në rast të ndodhjes së aksidentit rrugor nga Ministria e Shëndetësisë dhe më në fund themelim të një organi drejtues për ngritjen e sigurisë në rrugë që duhet të jetë brengë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, bëjnë të ditur nga Forumi për aktivizim qytetar.

Në vitin 2018, në Maqedoninë e Veriut ka pasur 118 të vdekur në aksidente rrugore
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018, sipas të dhënave nga SPB Shkup, numri i përgjithshëm i viktimave në aksidente rrugore arrin 118. Shumica e viktimave ishin në Shkup 32, Shtip 19, Tetovë 15, Manastir 18, Ohër 12, Strumicë 11, Kumanovë shtatë dhe Veles katër viktima.
Faktorët më të shpeshtë për aksidentet rrugore me pasoja të rënda për vitin 2018, sipas SPB Shkup, janë vozitja e shpejtë, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, vozitja në gjendje të alkoolizuar, mosmbajtje të anës dhe drejtimit të lëvizjes, qarkullim i kthim i parregullt dhe gabimi i këmbësorëve.

Shpejtësia si faktor kritik dhe kryesor për aksidentet
Theksi kryesor i aktiviteteve të KRSKRR në kuadër të fushatës verore – 2019, me qëllim të edukimit të pjesëmarrësve në komunikacion dhe ngritjen e vetëdijes për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion ishte ndikimi i vozitjes së shpejtë, alkoolit, lodhjes dhe temperaturat e larta në sigurinë në komunikacion dhe aftësinë për drejtimin e automjeteve motorike.
– Shpejtësia është një faktor kritik dhe kryesor në të gjitha aksidentet rrugore dhe mund të thuhet se varet pikërisht nga shpejtësia nëse do të ndodhë një aksident i caktuar dhe cilat do të jenë pasojat e aksidentit, konsiderojnë nga KRSKRR-ja.
Sipas të dhënave statistikore, vozitja e shpejtë, gjegjësisht sjellja e papërgjegjshme në komunikacion, vazhdon të mbetet arsyeja kryesore për shkaktimin e aksidenteve me pasoja fatale. Në vitin 2018, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 43 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore të shkaktuara nga vozitja me shpejtësi të lartë, ndërsa 1.069 persona kanë marrë lëndime të rënda dhe serioze si pasojë e vozitjes me shpejtësi të lartë.

Hulumtimet tregojnë se 86 për qind e vozitësve në Republikën e Maqedonisë së Veriut së paku një herë kanë shkelur rregullat e kufizimit të shpejtësisë, ndërsa 20 për qind e tyre e bëjnë këtë shpesh.
KRSKRR-ja u bën thirrje vozitësve: “Ngadalësoni shpejtësinë, vozisni qetë dhe sigurt. Respektoni rregullat për kufizimin e shpejtësisë dhe kënaquni në udhëtimin”.
Treguesi i vdekshmërisë e tejkalon mesataren e BE-së për 16 për qind, bëhet e ditur në ueb faqen e KRSKRR-së.
Sipas KRSKRR-së, në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2014, në BE është shënuar ulje e numrit të të vdekurve në rrugë me një mesatare prej 36 për qind, derisa në vendin tonë, ulja e numrit të të vdekurve është diçka më e ulët dhe arrin 32 për qind.
Strategjia e dytë kombëtare për përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor 2015 – 2020

Qëllimi i Strategjisë së dytë kombëtare të sigurisë në komunikacionin rrugor 2015-2020 është të zvogëlojë numrin e viktimave të aksidenteve rrugore deri në vitin 2020 deri në mesataren e numrit të viktimave në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Numri i viktimave – vozitës të rinj të ulet për 30 për qind, numri i personave me lëndime serioze të ulet për 40 për qind, dhe numri i fëmijëve – viktima të aksidentit të ulet në zero.
Sipas KRSKRR-së, ambicia e shtetit tonë është parashikimet gjatë kësaj dekade të lëvizin drejt përmirësimit që do të jetë së paku në nivelin mesatar evropian. Në përputhje me qëllimin evropian, numri i të vdekurve duhet të ulet nga numri aktual prej 75 personave të vdekur për një milion banorë, në 49 persona të vdekur për një milion banorë në vitin 2020.

Në veprimin e saj, KRSKRR-ja është veçanërisht e angazhuar në përmirësimin e sigurisë së grupeve më të ndjeshme të pjesëmarrësve në komunikacion – këmbësorë, çiklistë, motoçiklistë dhe vozitës të rinj, për çka edhe realizon fushata të shumta. Janë të rëndësishme angazhimet e KRSKRR-së në drejtim të përmirësimit të edukimit të komunikacionit të fëmijëve në komunikacion duke organizuar manifestime edukuese të komunikacionit siç janë “Semafori për fëmijë”, “Kultura teknike e komunikacionit e të rinjve”, “T’i mbrojmë fëmijët në komunikacion” dhe të tjera.

Rreth 25,000 viktima në aksidente fatale në rrugët e BE-së

Sipas të dhënave të Eurostat-it, në aksidente në rrugët e BE-së në vitin 2017 ka pasur rreth 25 mijë viktima, që do të thotë 50 aksidente fatale për një milion banorë.

Thuajse gjysma ose rreth 46 për qind e numrit të përgjithshëm të viktimave në aksidente rrugore në BE në vitin 2017 janë me automobila, gjegjësisht 23 raste të vdekjes në një milion banorë, më pas këmbësorët me 21 për qind, motoçiklistët 15 dhe çiklistët tetë për qind. Viktimat në forma të tjera të aksidenteve rrugore janë 10 për qind.

Përqindja më e lartë e viktimave-këmbësorë në aksidente rrugore për vitin e njëjtë është regjistruar në Rumani, me 37 të vdekur për një milion banorë, ndërsa më e ulëta në Danimarkë vetëm tre të vdekur.

Greqia renditet e para në raport me viktimat në komunikacion me motoçikleta në vitin 2017 edhe atë 20 në një milion banorë, derisa në Bullgari dhe Estoni në vitin 2016 numri i viktimave me motoçikleta është zero.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në përputhje me numrin e viktimave çiklistë në komunikacion, Rumania renditet e para me 10 të vdekur në një milion banorë, ndërsa zero viktima në vitin 2016 kanë pasur Qiproja dhe Luksemburgu.

Dallimet midis shteteve anëtare të BE-së në numrin e të vdekurve gjatë aksidenteve rrugore lëvizin nga 30 vdekje në një milion banorë në Britaninë e Madhe dhe Suedi, deri në mbi 90 në Bullgari dhe Rumani.

Koeficienti i vdekshmërisë gjatë aksidenteve rrugore, siç publikoi Eurostati, tregon një dallim shumë të dukshëm në BE mes vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nga njëra anë dhe vendeve me të ardhura të larta nga ana tjetër. Rezultatet pozitive sigurisht që janë në favor të vendeve më të pasura, në të cilat ka me më pak incidente me përfundim fatal.

Bullgaria renditet e para në BE sipas viktimave në aksidente me automjete të lehta

Nga vendet anëtare të BE-së, Bullgaria renditet e para me 64 viktima në aksidente rrugore me automjete të lehta në një milion banorë, që është thuajse gjashtëfish më shumë se 11% në Maltë, e cila është renditur e fundit në vitin 2016.

Në Bullgari, 456 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore me automobila, pesë me autobusë, 35 me biçikleta, derisa numri i këmbësorëve që kanë humbur jetën është 118.

Sipas BTA-së Bullgare, informacionet nga Ministria e Brendshme tregojnë se aksidentet më të rënda rrugore kanë të bëjnë me hyrjen në korsinë e drejtimit të kundërt për ndonjë arsye, parakalim të parregullt, shpërqendrim, por edhe dremitje. Për periudhën e viteve 2011-2017, të dhënat nga Ministria e Brendshme bullgare tregojnë se 910 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore, ndërsa janë lënduar 6,995, shumica e të cilëve nuk kanë kurrfarë faji për aksidentin.

Statistikat e zeza për aksidentet rrugore me përfundim fatal për gjashtë muajt e parë të këtij viti në Bullgari tregojnë se ka 2.524 të vdekur dhe 3,653 të lënduar në thuajse tre mijë aksidente rrugore-transportuese. Kjo do të thotë, nga rreth 250 aksidente çdo muaj dhe në mesatare 42 të vdekur në muaj gjatë aksidenteve automobilistike.