Lëshohet në përdorim rruga Kumanovë-Stracin, Rustemi: Vazhdojmë investimet në infrastrukturën rrugore

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi së bashku me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski sot lëshuan në përdorim rrugën magjistrale Kumanovë – Stracin. Ky aks rrugor, i cili është pjesë e Korridorit 8, është rikonstruktuar në një gjatësi prej 31.2 kilometrash me vler prej 12 milionë euro.

Marketing

“Ky aks rrugor është i një rëndësie të jashtëzakonshme, para së gjithash për qytetarët që gravitojnë në këtë rajon dhe të cilët do të mund të gëzojnë çdo ditë të mirën e një rruge bashkëkohore dhe të sigurt si dhe për të gjithë qytetarët dhe udhëtarët tanë, sepse ky aks rrugor na lidh me Republikën e Bullgarisë. Kënaqësia është edhe më e madhe për faktin se ky aks është pjesë e Korridorit 8, ndaj mund të them lirisht se kemi modernizuar me sukses një pjesë rrugore që është pjesë e rrjetit rrugor të korridorit evropian”,ka theksuar drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi

Sipas tij, rehabilitimi i rrugës magjistrale Kumanovë – Stracin është kryer në dy faza. Faza e parë e punimeve është kryer nga Kumanova deri në fshatin Vojnik, në gjatësi prej 15,2 kilometra, në vlerë prej 4,7 milionë euro, mjete të siguruara nga fondet IPA 2 dhe një pjesë e mjeteve nga NPRRSH. Në fazën e dytë është rehabilituar segmenti nga fshati Vojnik – deri në Stracin, në gjatësi prej 16 kilometra dhe në vlerë prej 7,4 milion euro, mjete të siguruara nëpërmjet Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore.

Drejtori Rustemi më tej shtoi se me këtë demonstrojmë përcaktimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të NPRRSH-së, për realizim të programit ambicioz për ndërtim, modernizim, rikonstruktim dhe rehabilitim të rrjetit rrugor në mbarë vendin. “Së bashku me nisjen e aktiviteteve për përfundimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D, do ta marr të drejtën të them se të gjithë këto aktivitete të përforcuara t’i klasifikoj si revolucion ndërtimor në infrastrukturën rrugore në vendin tonë”, tha drejtori Rustemi./