Kurti i gatshëm që ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë me 18 mars në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak ka shprehur gatishmëri që ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Normalizimit me Serbinë në takimin e radhës më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Sipas një njoftimi të ZKM-së, Kurti ka thënë se Kosova do të jetë palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale dhe të vlerave të BE-së.

“Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit për Media.

“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, thuhet në fund.

Ndërkaq, pas këtij takimi, Lajcak ka thënë se i ka kuptuar pritjet e Kosovës.

Lajcak ka thënë se palët duhet të pajtohen edhe për Aneksin e Implementimit përndryshe marrëveshje s’do të mund të jetë obligative.

Ai ka thënë se ka pasur një bisedë konstruktive dhe shumë të rëndësishme me kryeministrin Kurti për atë se si Kosova e sheh çështjen e implementimit dhe thotë se ky takim ka përmbushur pritjet sa i përket këtij aspekti dhe se tashmë e di shumë mirë se cilat janë pritjet e Kosovës.

Marketing