Propozimi i ASh-së për heqjen e 20%-shit tani, Osmani: Ka ardhur koha, por duhen bisedime

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ka ardhur momenti kur partitë politike në vend do të mund të shprehin pajtimin e tyre që gjuha shqipe të emërtohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht “20%“.

Marketing

“Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoni”, ka shkruar kreu i ASh-së, Arben Taravari, në rrjetet sociale.

Ai ka ftuar që edhe kryeministri Kovaçeski edhe lideri i opozitës maqedonase, Mickovski, që të mbështesin këtë qëndrim.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, i cili vjen nga radhët e BDI-së pajtohet me qëndrimin e partnerit shqiptar në qeveri ASh-së, që gjuha shqipe të zë vend në aktin më të lartë juridik. Megjithatë, këtij procesi sipas tij, duhet t’i paraprijnë takimet ndërmjet partive në koalicionit dhe debatet më të gjëra, para se kjo çështje të bëhet temë e mediave.

“Sigurisht se do të vjen momenti kur do të duhet edhe 20%-shi për shkak se është pjekur koha që të shndërrohet në formulim të saktë të gjuhës shqipe. A është tani momenti i duhur? Do të duhet ta vlerësojnë bashkërisht liderët e partive politike apo do të krijojmë një alibi plus për opozitën pse nuk mbështet ndryshimet kushtetuese. Ne, vetëm pjesa e koalicionit qeverisës, nuk i kemi numrat për të bërë ndryshimet kushtetuese pa mbështetjen e deputetëve të opozitës. Prandaj, kjo kërkon proces dialogu, debatimi se cili është momenti, mundësia që të vijmë deri te konkluzionet e duhura.”, – u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Në drejtim të procesit integrues të cilën kryesisht e kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese për inkorporimin e bullgarëve në kushtetutë, si dhe raporti me Sofjen, ministri Osmani pret që zgjedhjet e së dielës tek fqinji lindor përfundimisht të prodhojnë qeveri stabile, në mënyrë që të dy vendet t’i kthehen dialogut të bisedimeve dhe bashkëpunimit dypalësh.

Marketing