Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në Tiranë, ku policia ka qëlluar për vdekje një të ri, i cili sipas tyre po bënte veprime të dyshimta në rrugë.
Sipas Policisë i riu me inicialet K.R nuk u është përgjigjur thirrjeve të bluve për të ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
Pas kësaj punonjësi i Policisë e ka qëlluar me armë duke i marrë jetën. Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.
Njoftimi i Policisë:
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.
Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.
Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.